REST API: Konceptet bazike

Web servisi është program që ka për qëllim realizimin e komunikimit ndërmjet kompjuterëve nëpërmes rrjetit, më konkretisht nëpërmes World Wide Web.

Informatat që shkëmbehen dërgohen dhe pranohen nëpërmes protokolit HTTP, sikurse në rastin e Web aplikacioneve, por në rastin e REST API theksi është tek të dhënat dhe jo te prezantimi në formë të HTML dokumentit.

REST API është pra backend servisi i cili e furnizon me të dhëna:

  • Front-end aplikacionet, siç janë aplikacionet e punuara me Angular, React, Vue, etj.
  • Aplikacionet mobile
  • Web serviset tjera

Tipet e Web serviseve

Web serviset kanë pësuar evolucion përgjatë historisë së Web-it.

Në të kaluarën më së shumti është përdorur SOAP protokoli (Simple Object Access Protocol), i cili për shkëmbimin e të dhënave ka përdorur formatin XML (eXtensible Markup Language). Edhe sot mund të hasen Web servise të bazuara në SOAP, mirëpo është evidente se dominon REST dhe formati JSON për të dhënat.

REST API

REST (Representational state transfer) është Web servis më i thjeshtë në krahasim me SOAP, dhe po ashtu edhe JSON formati është më i thjeshtë se formati XML.

REST API mundëson komunikimin ndërmjet sistemeve të ndryshme dhe dërgimin dhe pranimin e të dhënave në një formë më të thjeshtuar.

Çdo thirrje ndaj REST API realizohet nëpërmes HTTP metodave dhe URL-ve të caktuara. Rëndomë, një REST API përdoret për të dërguar të dhëna e më shpesh për të pranuar të dhëna nga një sistem për menaxhimin e databazave.

Çdo HTTP metodë i korrespondon një operacioni të caktuar në databazë, dhe çdo operacioni në databazë i korrespondon një URL.

Operacionet bazike ndaj databazës janë:

  • Create. Insertimi i të dhënave të reja në databazë.
  • Retrieve. Leximi i të dhënave nga databaza.
  • Update. Përditësimi i të dhënave në databazë.
  • Delete. Fshirja e të dhënave nga databaza.

|REST |SQL |HTTP |
|Create |INSERT |POST |
|Retrieve|SELECT |GET |
|Update |UPDATE|PUT |
|Delete |DELETE |DELETE|

Ka edhe dy HTTP metoda të tjera: PATCH dhe OPTIONS, përdorimin e të cilave do ta diskutojmë më vonë.

All Rights Reserved Theme by 404 THEME.