REST API: Metoda GET

Metoda GET bën leximin e një resursi të caktuar nga serveri. Për ta specifikuar resursit, metoda GET përdor disa tipe të URL kërkesave.

  • Parametrat nga ruta
  • Parametrat nga query string

Metoda GET përdoret sa herë e shënojmë një URL në browser, apo kur klikojmë në ndonjë link. Edhe dërgimi i të dhënave nga një formular mund të bëhet me metodën GET, por për shkak të disa kufizimeve që i imponon metoda GET, tek formularët rëndomë përdoret metoda POST.

Në rast të ekzekutimi të suksesshëm të kërkesës së bërë me metodën GET, serveri kthen status kodin 200.

Parametrat nga ruta janë parametrat që janë të shënuar si segmente të URL-së, p.sh.:

/post/102

Me këtë është specifikuar së kërkohet postimi me ID 102.

Kur aplikacioni e zbërthen këtë URL, do të kërkojë cili funksion duhet të thirret për ta shfaqur një postim, që më pas atij funksioni t’ia përcjellë ID-në e specifikuar, me çka aplikacioni do ta marrë informatën se çfarë informate të kërkojë specifikisht në databazë. Në rast se ekziston postimi me ID 102, databaza i kthen aplikacionit fushat e rekordit të caktuar nga tabela e databazës, të cilat të dhëna pastaj aplikacioni i “konverton” në të dhëna të formatit JSON apo si HTML, por nuk përjashtohen edhe formatet tjera.

Përveç parametrave të rutës, aplikacionit mund t’i dërgohen të dhëna edhe nëpërmes query string, gjegjësisht variablat e bashkangjitur në URL në formatin:

?variabli1=vlera1&variabli2=vlera2&variabli3=vlera3

Një URL mund t’i përmbajë edhe parametrat e rutës, edhe query string. Për shembull, mund të specifikojmë se na nevojiten postimet e kategorisë së caktuar nëpërmes parametrit të rutës, dhe cilën faqe të rezultateve e dëshirojmë – me anë të query string.

http://domaini.com/kategoria/5?faqja=3

Në këtë rast, aplikacioni e lexon segmentin e dytë të URL-së si ID të kategorisë, dhe nëse ajo kategori ka shumë postime, mund ta shfaqe faqe për faqe, ku variabli faqja do t’i shërbejë për ta shfaqur faqen e caktuar të rezultateve.

I> Parametrin në segmentin e URL e përdorim kur e kërkojmë një resurs, ndërsa atij parametri ia shtojmë edhe query string kur kemi të bëjmë me një set resursesh, kur nëpërmes vlerave të variablave caktojmë mënyrën e shfaqjes së të dhënave: cila faqe e rezultateve, mënyra e sortimit të të dhënave, etj.

All Rights Reserved Theme by 404 THEME.