REST API: Metodat POST, PUT, PATCH, DELETE dhe OPTIONS

POST

Metoda POST përdoret për krijimin e një resursi të ri në server, p.sh. një postim apo një produkt të ri. Me krijim të resursit të ri rëndomë nënkuptojmë krijimin e një rekordi të ri në një tabelë të databazës.

Me POST nuk jemi të kufizuar në krijimin e vetëm një resursi, sepse në raste mund të kemi nevojë që nëpërmes metodës POST të dërgojmë një varg të dhënash të cilat në databazë do të ruhen si rekorde të shumta.

Gjatë insertimit të të dhënave në databazë, për çdo rekord do të krijohet një ID unike, e cila ID pastaj mund të përdoret për leximin e atyre resurseve. Nga aspekti i punës në databazë, një INSERT do të krijojë një apo më tepër rekorde, ku secili rekord do të ketë ID unike, rëndomë si inkrement. Më pas, me SELECT mund të zgjedhim një apo më tepër rekorde për lexim nga ana e aplikacionit, të cilat aplikacioni më pas do t’i kthejë si të dhëna p.sh. të formatit JSON.

PUT

Nëse dëshirojmë që ta përditësojmë një resurs, gjegjësisht ta ndryshojmë vlerën e një apo më tepër fushave të një rekordi, për dërgimin e kërkesës do ta përdorim metodën PUT, e cila metodë është e ngjashme me POST, me atë se do ta përdorim vetëm në rastet kur në databazë duhet të ndodhë një UPDATE. Rëndomë, UPDATE kryhet ndaj një resursi, gjegjësisht ndaj një rekordi, por kemi edhe raste kur veprojmë ndaj një seti të rekordeve.

Të dhënat me POST/PUT/PATCH mund të dërgohen edhe thjesht në formatin gjenerik tekstual, por në rastin e REST API, këto të dhëna do të jenë zakonisht në formatin JSON.

PATCH

Dallimi ndërmjet PUT dhe PATCH qëndron në faktin se me PUT bëjmë zëvendësimin e vlerave të tërë një rekordi me të dhëna të reja, ndërkaq me PATCH do të bëjmë përditësimin e fushave të caktuara, duke ua ruajtur të tjerave përmbajtjen e mëparshme. Në praktikë, është zgjedhja e programuesit se si konkretisht do t’i përdorë këto dy metoda.

PUT dhe PATCH kthejnë status kodin 200 në rast të suksesit, 404 kur nuk gjendet resursi i kërkuar.

DELETE

Metoda DELETE përdoret për fshirjen e një resursi, gjegjësisht fshirjen e një rekordi nga databaza. Është i ngjashëm me PUT por nuk përmban asnjë informatë përveç identifikatorit unik të resursit i cili duhet të fshihet. Pasi të bëhet fshirja, kërkesat ndaj atij resursi me metodën GET duhet ta kthejnë statusin 404. Kërkesat me metodën GET nuk ruhen në cache.

OPTIONS

Metoda OPTIONS përdoret rrallë, ndërsa përdoret për të treguar se cilat metoda janë në dispozicion për të vepruar ndaj një resursi. Kështu aplikacioni mund të dijë cilat metoda janë në dispozicion ndaj një resursi dhe kështu fillimisht e verifikon nëse një metodë e caktuar ekziston, që më pas të bëjë kërkesën për ekzekutim.

Thënë ndryshme, para se aplikacioni të veprojë ta zëmë me metodën PATCH, duke e thirrur metodën OPTIONS mund të shikojë nëse metoda PATCH është në listën e metodave me të cilat mund të veprohet ndaj atij resursi.

All Rights Reserved Theme by 404 THEME.